Papa Françesku nga sheshi Shën Pjetri në Vatikan ka përcjellë urimin për festën e Krishtlindjeve në të gjitha gjuhët e botës.
Në mesazhin e tij për besimtarët, Papa nuk ka pa përmendur luftën në Ukrainë, duke thënë se sot bota po vuante nga një “uri për paqe”.
“Vështrimi ynë u mbushtë me fytyrat e vëllezërve dhe motrave ukrainase që po jetojnë këtë Krishtlindje në errësirë, në të ftohtë, ose jashtë shtëpive të tyre, për shkak të shkatërrimit të shkaktuar nga dhjetë muaj luftë”., tha Papa Françesku.
Ai kërkoi rifillimin e dialogut mes izraelitëve dhe palestinezëve, po ashtu kërkoi që ushqimi të mos përdoret si armë lufte.
“Ne mendojmë për njerëzit që vuajnë nga uria, veçanërisht fëmijët, ndërkohë që çdo ditë shpenzohen burime financiare për armë. Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar më shumë situatën duke lënë popullata të tëra në rrezik për shkak të urisë, veçanërisht në Afganistan dhe disa vende në Afrikë. Ne e dimë që çdo luftë shkakton uri. Në këtë ditë le të angazhohemi të gjithë, edhe ata që kanë përgjegjësi politike”, vijoi më tej Papa./btvnews.al