Segmenti rrugor nga kthesa e Cerujës në rrugën nacionale Klos – Burrel deri në fshatin Pleshë është kthyer në gangrenë për banorët e tre fshatrave që kalojnë në të, Cerujës, Pleshës e Patinit.
Prania e madhe e gropave dhe deformimet e asfaltit kanë bërë që qarkullimi në këtë segment të jetë problematik për automjetet e vogla. Drejtuesit e mjeteve vlerësojnë investimin e bërë për fshatrat Pleshë, Patin e Cerujë, ndërsa kërkojnë që të rehabilitohet edhe ai segment që nuk është i përfshirë në projektin e madh.
Dëmtimin më të madh kjo rrugë e ka pësuar në afërsi të rrugës nacionale dhe pranë nënstacionit elektrik. Drejtuesit e mjeteve shpresojnë që pas investimit të rrugës me asfalt Patin, Cerujë e Pleshë, të ndërhyhet edhe në segmentin hyrës për këto tre fshatra.
Specialistët e rrugëve shprehen se ndërhyrja në këtë segment mund të bëhet e pjesshme edhe vetëm duke riparuar deformimet apo mbushur gropat me asfalt./btvnews.al