Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Në një postim në mediat sociale, Meta shkruan se situata në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë është provokuar nga Beogradi zyrtar.
Më tej ai thekson se pas këtyre tensioneve fshihen bandat kriminale serbe që operojnë në Kosovë.
“Situata në Kosovë është e provokuar nga Beogradi zyrtar përmes mbështetjes, frymëzimit dhe financimit të strukturave kriminale serbe në Veri të Kosovës. Kërcënimi i vetëm për qytetarët e Veriut të Kosovës dhe në veçanti për qytetarët serbë janë pikërisht këto banda, përgjegjësia e të cilave është e Beogradit, që i aktivizon sa herë që do të krijojë tensione artificiale.
Kjo nuk është një betejë e Beogradit për të drejtat e qytetarëve serbë në Veri të Kosovës, por një shërbim ndaj regjimit të Rusisë me qëllim për të shpërndarë vëmendjen nga krimet që po ndodhin në Ukrainë”, shkruan Meta./btvnews.al