E diel, 24 Nëntor, 2024

Tentuan të trafikonin drejt Italisë 16 të mitur të kamufluar si skuadër futbolli, arrestohen 10 persona

Policia e Durrësit ka vënë në pranga 10 persona, të cilët akuzohen se tentuan që të kalonin në kufi 16 të mitur nga Kosova të cilët si destinacion final kishin Italinë.

Policia sqaron se janë arrestuar 10 persona që hiqeshin si menaxher të futbollistëve, por në fakt po trafikonin të mitur kundrejt një fitimi monetar 3 mijë deri në 4 mijë Euro..

Po ashtu sqarohet se nga hetimet është zbuluar se një prej të arrestuarve ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë.

Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË

Finalizohet operacioni “Ekipi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Operacioni u zhvillua nga Policia Kufitare Durrës dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës. Tentuan që të kalonin drejt Italisë, 16 shtetas të mitur, kundrejt fitimit 3000-4000 euro për secilin, duke u kamufluar si pjesë e një ekipi sportiv, vihen në pranga 10 shtetas.

Të miturit janë prezantuar si ekip sportiv, ndërsa të arrestuarit janë prezantuar si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit sportiv. Njëri nga të arrestuarit, organizatori i kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 5945 euro.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara në PKK Durrës, në kuadër të planit të masave për festat e fundvitit, bazuar dhe në inteligjencën informative për një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ekipi”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 10 shtetas: I.B., 48 vjeç, D. Sh., 32 vjeç, D. G., 36 vjeç, F. B., 21 vjeç, F. Gj., 54 vjeç, A. D., 21 vjeçe, Q. K., 20 vjeçe, E. D., 21 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe B. H., 37 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.

Të gjithë këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të ndihmuar 16 shtetas të mitur nga Kosova (të moshës 17 vjeç), që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Shtetasit e arrestuar janë prezantuar si anëtarë të bordit të ekipit sportiv që përbëhej nga 16 shtetasit e mitur që ata po shoqëronin. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000 – 4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do të kërkonin azil.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë. Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit