Deklaratat tatimore, të redaktuara, të ish-presidentit republikan Donald Trump do të bëhen publike të premten, tha mbrëmë zëdhënësi i Komisionit për Taksat i Dhomës së Përfaqësuesve.
Komisioni i kontrolluar nga demokratët i mori dosjet muajin e kaluar si pjesë e një hetimi mbi taksat e zotit Trump. Kjo ndodhi pas një beteje të gjatë gjyqësore që përfundoi me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së në favor të kërkesës së komisionit.
Komisioni publikoi një raport mbi gjetjet e tij javën e kaluar, i cili tha se Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) theu rregullat e veta duke mos hetuar deklarimet e taksave të zotit Trump për tre nga katër vitet e presidencës së tij.
Dokumentet që do të publikohen të premten pritet të përfshijnë deklaratat tatimore të ish presidentit të dorëzuara midis viteve 2015 dhe 2021, vitet gjatë të cilave ai kandidoi dhe shërbeu si president.
Zëdhënësi i zotit Trump nuk pranoi kërkesën e agjencisë “Reuters” për komente rreth vendimit.
Deklaratat tatimore të ish presidentit Trump nuk u publikuan së bashku me raportin e javës së kaluar sepse ato përmbanin informacione që duhej të redaktoheshin përpara publikimit, thanë anëtarët e komisionit.
Demokratët në këtë komision thanë se bërja publike e dosjes ishte e nevojshme për të kuptuar kontekstin e raportit të tij, i cili përfshinte gjithashtu dhe një ligj që do t’i jepte mandat Shërbimit të Ardhurave të Brendshme (IRS) të auditonte presidentët.
Donald Trump ishte kandidati i parë presidencial në dekada që nuk publikoi deklaratat e tij tatimore në asnjë prej fushatave të tij për president.
Demokratët në komision kishin vetëm disa javë për të vendosur se si ta trajtonin dosjen, para se republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar. Republikanët fituan këtë dhomë me një diferencë të ngushtë në zgjedhjet e 8 nëntorit, që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti./Zeri i Amerikës