Në prangat e policisë së Pogradecit kanë rënë sot tre persona, të cilët akuzohen për transport të lëndëve narkotike, ndërsa në mjetin e tyre janë gjetur plot 58 kg hashash.
Të arrestuarit janë një 17 vjeçar me iniciale M.K., si dhe Likë Basha 30 vjeç dhe Erisa Fero 28 vjeç. Mësohet se Fero është punonjëse e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSH).
Sipas informacioneve, droga ka qenë në automjetin e 28-vjeçares ndërsa dy personat e tjerë monitoronin rrugën.
Kjo e fundit ka udhëtuar nga Tirana me destinacion Qafë-Thanën, për të dorëzuar më pas drogën Likë Bashës për të transportuar më pas drejt Maqedonisë.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur më datë 07.11.2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, finalizuan me sukses fazën e trembëdhjetë të tij.
Si rezultat i saj, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:
– E. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë; M. K., 17 vjeç, banues në Krujë; L. B., 32 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.
Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.
Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volksëagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme. /btvnews.al