Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës, të cilat ishin vendosur aty prej 20 ditësh.
Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se barrikadat nuk sollën asgjë të re, por vetëm tensione të kota pasi të gjithë u kthyen në shtëpi.
Po ashtu kreu i qeverisë shkruan se tashmë doli dhe një kuptim i ri për barrikadat, pasi kanë hyrë në listën e “mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA”.
“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!
Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!
Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes”, shkruan Rama./btvnews.al