Një shpërthim me tritol ka ndodhur gjatë natës para banesës së një oficeri policie në Shkodër. Policia e këtij qyteti bën me dije se nga shpërthimi është dëmtuar automjeti i tij dhe po ashtu ka pasur dhe dëme të lehta në banesë.
Sipas bluve të Shkodrës, lidhur me këtë ngjarje është ngritur një grup pune dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHKODRËS
Më datë 30.12.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Bardhaj, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, para banesës së shtetasit V. S., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Si pasojë është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të këtij shtetasi dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./btvnews.al