E premte, 29 Nëntor, 2024

Shtohen dëshmitë e krimeve ruse në Ukrainë, qytetarët: Duhen dënuar komandantët e lartë, jo vetëm ushtarët

Dhjetë muaj pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, pjesa më e madhe e fakteve dëshmon se trupat e Kremlinit kanë zhvilluar atje një luftë totale, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për trajtimin e civilëve dhe rregullave në fushën e betejës.

Ukraina po heton më shumë se 58 mijë krime të mundshme lufte nga Rusia, përfshirë vrasje, rrëmbime, bombardime pa dallim mes civilëve dhe ushtarakëve dhe sulme seksuale.

Raportimet e agjencisë së lajmeve “Associated Press” dhe rrjetit investigativ “Fronltine” të mbledhura në një bazë të dhënash publike, kanë konfirmuar në mënyrë të pavarur më shumë se 600 incidente, që duket se janë në shkelje me ligjet e luftës.

Disa prej këtyre masakrave kanë lënë të vrarë dhjetra ose qindra civilë, ndërsa numri i përgjithshëm i krimeve të luftës mund të arrijë në mijëra

Sikurse i tha agjencisë “Associated Press”, Karim Khan, kryeprokuror në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, “Ukraina është një skenë krimi”.

Megjithatë, përballë dokumentimit të asaj që ka ndodhur ka një realitet të hidhur.

Edhe pse autoritetet kanë mbledhur një sasi tronditëse provash, pasi sulmi është nga më të dokumentuarit në historinë njerëzore, janë të pakta gjasat që të arrestojnë së shpejti ata që kanë hapur zjarr dhe kanë ushtruar dhunë e aq më pak komandantët që dhanë urdhrat dhe udhëheqësit politikë që miratuan sulmet.

Për këtë ka një seri arsyesh, thonë ekspertët. Autoritetet ukrainase përballen me sfida serioze në mbledhjen e provave të pakundërshtueshme në një zonë lufte. Shumica dërrmuese e krimeve të luftës janë kryer në anën ruse të frontit.

Edhe në rastet kur ka patur ndjekje penale, kufizimet me të cilat përballet drejtësia janë të dukshme.

Një rast është ai i Vadim Shishimarinit, një komandant tanku 21-vjeçar, i pari rus që u gjykua për krime lufte. Ai u dorëzua në mars dhe u vetëdeklarua fajtor në një gjykatë të Kievit në maj, duke pranuar se kishte qëlluar në kokë një civil ukrainas 62 vjeçar.

Në sallën e gjyqit ndihej dëshira për të ndërthurur drejtësinë me hakmarrjen.

“A e ndjen veten vrasës”, i thirri një grua rusit i cili qëndronte në këmbë në kafazin e qelqtë të të pandehurve.

“Po për burrin që është në varr”?, u dëgjua një zë më i mprehtë. Ndërsa një zë i tretë e pyeti avokatin se si mund të luftonte për lirinë e një rusi.

Ushtari i ri u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por pas apelimit ndaj tij u vendos 15 vjet heqje lirie. Kritikët thanë se dënimi fillestar ishte tepër i ashpër, duke mbajtur parasysh faktin se ai pranoi krimin, tha se po zbatonte urdhërat dhe shfaqi pendesë.

Megjithatë, hetuesit ukrainas deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë akuza ndaj komandatëve të Vadim Shishimarinit. Që prej muajit mars, Ukraina ka ngritur dyshime ndaj 600 rusëve, shumë prej tyre zyrtarë të nivelit të lartë dhe zyrtarë ushtarakë, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoifu. Por deri më tani, asnjë prej zyrtarëve të fuqishëm nuk është vënë para drejtësisë ukrainase.

“Do të ishte e tmerrshme nëse në fund do të dënoheshin për krime lufte apo për krime ndaj njerëzimit, ushtarakë të gradave të ulëta dhe komandatët më të lartë të liheshin të lirë”, thotë avokati britanik Philippe Sands.

Gjatë gjithë luftës udhëheqësit rusë kanë mohuar akuzat për sjellje mizore dhe të dhunshme.

Ambasadori i Moskës, në Kombet e Bashkuara, Vasili Nebenzia, tha se asnjë civil nuk është torturuar apo vrarë në qytetin e Buças, pavarësisht dokumentimit të hollësishëm dhe të kujdesshëm nga Associated Press, gazetarë të tjerë dhe hetues të krimeve të luftës, të mizorive që u kryen atje.

“Nuk ka patur asnjë sulm të dhunshëm ndaj asnjë individi atje”, tha ambasadori, duke i cilësuar fotot dhe videot e viktimave në rrugë si inskenime të ukrainasve.

Bazuar në fakte, këto deklarata janë provuar si të pavërteta, nga autoritetet ukrainase dhe ato ndërkombëtare, grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët që kanë dokumentuar me saktësi barbarinë ruse qëkurse Kremlini urdhëroi sulmin e paprovokuar në shkurt.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje për të dokumentuar atë që ka ndodhur,baza e të dhënave të Associated Press dhe Frontline e quajtur “War Crimes Watch Ukraine”, dëshmon një pjesë të krimeve të luftës. Associated Press dhe Frontline kanë përfshirë vetëm incidentet që mund të verifikohen përmes fotografive, videove dhe dëshmitarëve që kanë parë me sy ngjarjet.

Është raportuar edhe për qindra incidente të tjera që mund të përbëjnë krime lufte, por nuk ka patur prova të mjaftueshme publike që të konfirmonin në mënyrë të pavaruar atë që ka ndodhur.

Megjithatë baza e të dhënave jep detaje të fushatës 10 mujore që duket se ka shkelur ligjet e luftës, përfshirë 93 sulme në shkolla, që kanë lënë pas 36 fëmijë të vrarë, sikurse edhe më shumë se 200 sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve, përfshirë torturimin, rrëmbimin, vrasjen e civilëve dhe përdhosjen e trupave të pajetë.

Objektiv i Rusisë kanë qenë kishat, qendrat kulturore, spitalet dhe infrastruktura energjitike.

Baza e të dhënave tregon se Rusia lëshuar bomba në lagjet rezidenciale dhe ndërtesat që strehonin civilë.

Sipas një investigimi të Associated Press, Rusia ka lëshuar një bombë mbi teatrin e Mariupolit, që po përdorej si strehë për civilet, duke lënë pas, së paku 600 viktima. Një tjetër investigim tregon se 30 ditë pas nisjes së sulmit forcat ruse goditën dhe dëmtuan 34 qendra mjekësore.

“Ky është një krim që bie ndesh me ligjet e luftës”, tha Stephen Rapp, ish-ambasador amerikan për krime lufte. “Nëse dikush plagoset duhet të marrë kujdes mjekësor. Nuk mund të sulmosh spitalin. Është rregulli më i vjetër në ligjet ndërkombëtare”.

Ekspertët thonë se nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, Rusia ka shkelur rregullat e vendosura nga Konventa e Gjenevës dhe një seri traktatesh që përcaktojnë se si duhet t’i trajtojnë vendet që janë në luftë qytetarët e kundërshtarit, si edhe Statutin e Romës në bazë të të cilit u ngrit Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe që përcakton aktet që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./VOA

Artikuj te ngjashem

Me te fundit