Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, pretendoi se Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës mbi 10 muaj më parë, shumë shpejt do të njoftojë për mobilizim të mëtejmë ushtarak. Ai u bëri thirrje rusëve që të shmangin mobilizimin.
“Shmangni mobilizimin në çdo mënyrë. Kur liderët e bunkerit nuk janë në gjendje të dërgojnë rekrutë të rinj, ata do të detyrohen ta pranojnë humbjen. Dhe lufta do të përfundojë. Kjo megjithatë do të ndodhë, por pyetja është me çfarë çmimi. Dhe a do të paguhet ky çmim me gjakun tuaj”, tha Reznikov përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 30 dhjetorit. Sipas Reznikov, Rusia po përgatitet që të mbyllë kufijtë për burrat që janë në moshën e shërbimit ushtarak.
“Dua t’u bëj apel të gjithë rekrutëve rusë. E para, kjo vlen për banorët e qyteteve të mëdha. Me të vërtetë unë e di se ju ka mbetur rreth një javë për të bërë të paktën një zgjedhje. Në fillim të janarit, autoritetet ruse do të mbyllin kufijtë për burrat, atëherë ata do të shpallin gjendje lufte”, tha Rezikov. Ai shtoi se Bjellorusia po ashtu mund të ndërmarrë veprime të ngjashme.
Rusia ka pushtuar Ukrainën 10 muaj më parë, nën pretendimet e një kërcënimi të sigurisë së saj të orkestruar nga NATO-ja. Lufta ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur. Pasi kishte mohuar se do të shpallte mobilizim ushtarak, më 21 shtator presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi “mobilizim të pjesshëm”. Atëbotë, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, deklaroi se ushtria synonte të rekrutonte deri në 300.000 persona.
Shpallja e mobilizimit nxiti një eksod masiv nga Rusia. Qindra mijëra rusë ikën nga shteti, duke shkuar në Gjeorgji, Kazakistan dhe Kirgizi. Videoja e Reznikovit vjen pasi ai i tha gazetës Guardian se trajnimi i dhjetëra mijëra burrave të mobilizuar dhe rekrutëve të rinj në Rusi, mund të jetë tregues i qëllimeve të Kremlinit për të nisur një ofensivë të re në Ukrainë.