E martë, 26 Nëntor, 2024

“Presidenca suedeze e BE: Lufta dhe krizat e mëdha”/ Analiza e DW: Ja ç’duhet të presim nga 2023

Qeveria e re suedeze e pakicës parlamentare, e përbërë nga të moderuarit, kristiandemokratët dhe liberalët, e cila varet nga bashkëpunimi me demokratët suedezë të ekstremit të djathtë, do të vazhdojë aty ku e ka lënë Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e saj për sigurinë dhe furnizimin me energji në të gjithë Evropën, forcimi i aftësive ushtarake dhe më shumë pavarësi nga zinxhirët e furnizimit jo-evropianë, mbeten çështjet kryesore të Presidencës së udhëhequr nga Suedia. Qeveria suedeze do të kryesojë rreth 1500 takime të organeve të ndryshme të BE-së dhe do të shpenzojë orë të panumërta duke negociuar kompromise midis shteteve anëtare të BE-së, Komisionit të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha në një deklaratë të qeverisë në dhjetor se lufta do të përcaktojë në masë të madhe edhe veprimin e Presidencës suedeze. Nga njëra anë, ne e dimë saktësisht se çfarë duhet të bëjmë: të ruajmë unitetin evropian në mbështetjen e Ukrainës, të shfrytëzojmë burimet për rindërtim, të zbatojmë ligjin ndërkombëtar dhe të përgatisim rrugën që vendi kandidat Ukraina të anëtarësohet në BE. Nga ana tjetër, ne nuk e kemi idenë se çfarë do të ndodhë. Çfarë do të ndodhë një vit pas pushtimit? Në pranverë? Në verë? Suedia do të jetë e përgatitur të veprojë shpejt dhe me vendosmëri”, tha konservatori Kristersson.

Qeverisja e vështirë me tolerancën e demokratëve të ekstremit të djathtë

Çështje të tjera si mbrojtja e klimës, politika e imigracionit por edhe zgjerimi dhe përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të jenë në rend të dytë, krahasuar me pasojat e luftës. Kreu i ri i qeverisë, i cili mori detyrën në tetor pas zgjedhjeve parlamentare, nuk mundi të krijojë koalicionin e dëshiruar dhe tani varet nga demokratët e ekstremit të djathtë suedez. Lideri i demokratëve suedezë, Jimmie Åkesson, i cili fitoi 20 për qind të votave, por nuk u pranua në një koalicion qeverisës, konsiderohet mohues i ndryshimeve klimatike, ndjek një politikë të ashpër kundër emigracionit dhe kritikon Bashkimin Evropian si burimin e të gjitha të këqijave. Kjo i bën demokratët suedezë aleatët natyrorë të qeverive të tjera të krahut të djathtë në BE, veçanërisht në Hungari dhe Itali.

Kryeministri suedez njoftoi se Suedia do të vazhdojë të mbështesë sundimin e ligjit në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Procedurat përkatëse kundër Hungarisë dhe Polonisë do të shtyhen përpara “në mënyrë të moderuar”. Megjithatë, demokratët suedezë refuzojnë rreptësisht masat ndëshkuese kundër Hungarisë, siç është ndalimi i subvencioneve të BE-së, i cili është praktikuar për herë të parë. Eurodeputeti ekologjist Jacob Dalunde, partia e të cilit është në opozitë në Suedi, ka dyshime për rrjedhën e Presidencës së ardhshme të Këshillit Suedez. “Që Kristersson vazhdon të pretendojë se ai dhe qeveria e tij do të jenë në gjendje të mbrojnë shtetin e së drejtës duke u mbështetur tek demokratët suedezë është naive dhe e rrezikshme”, tha Dalunde për portalin e lajmeve “Euractiv”.

Më shumë pavarësi për Evropën

Qeveria suedeze të paktën dëshiron të bëjë përparim në çështjet ekonomike. Konkretisht, kryeministri Ulf Kristersson bëri të ditur se industria evropiane e makinave duhet të mbështetet tek makineria elektrike. Në të njëjtën kohë, varësia nga furnizuesit dhe produktet primare nga Azia duhet të reduktohet.

Kristersson nuk dëshiron të pranojë subvencione të padrejta nga SHBA për industrinë e saj. “Gjatë presidencës së saj, Suedia do të avancojë punën në një mjedis evropian të prodhimit për gjysmëpërçuesit. Kjo tingëllon teknike dhe është teknike. Por është absolutisht e nevojshme nëse duam të elektrizojmë plotësisht flotën tonë të automjeteve,” tha kreu i qeverisë në parlamenti suedez në Stokholm.

Kriminaliteti i organizuar hedh hije mbi Presidencën

Suedia nuk është veçanërisht optimiste për këtë mandat, sepse ajo ka në fakt shumë probleme edhe në shtëpinë e vet. Në fjalimin e tij për Krishtlindje, Ulf Kristersson paraqiti një pamje të zymtë të atdheut të tij, i cili po vuan mbi të gjitha nga kriminaliteti në rritje midis klaneve të huaja. “Jashtë vendit, Suedia përgjithësisht perceptohet si paqësore dhe harmonike”, tha kryeministri. Por pamja nuk është e saktë. Deri nga mesi i dhjetorit, policia suedeze ka regjistruar 378 të shtëna me armë zjarri në të cilat mbetën të vrarë 60 persona. Në vendet fqinje, shifrat janë shumë më të vogla. Danimarka ka katër të vdekur ndërsa Finlanda vetëm dy gjatë kësaj periudhe.

Sipas kryeministrit, në Södertälje afër Stokholmit këtë vit janë vrarë me armë zjarri aq njerëz sa në të gjithë Londrën. Të rinjtë me prejardhje migrimi qëllojnë njëri-tjetrin kryesisht si pasojë e përfshirjes në krimin e organizuar. Pikërisht për shkak të këtij problemi të sigurisë dhe vrasjeve të shumta, demokratët suedezë ekstremistë të krahut të djathtë ishin kaq të popullarizuar në zgjedhje.

Paralelisht me punën për BE-në, Suedia duhet të punojë shumë edhe për sigurinë e saj të jashtme gjatë këtij viti. Turqia ende po bllokon pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, gjoja sepse terroristët kurdë mbrohen në dy vendet nordike. Suedia ka bërë lëshime dhe dëshiron t’i ekstradojë të akuzuarit në Turqi më shpejt. Megjithatë, kjo nuk mjafton për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, siç kishte deklaruar në dhjetor. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg megjithtatë pret që Suedia të pranohet në NATO në vitin 2023. Por as ai nuk mund të thotë se kur do të ndodhë kjo./DW

Artikuj te ngjashem

Me te fundit