Ambasada e Britanisë së Madhe në vendin tonë e nis vitin e ri me një mesazh për të gjithë shqiptarët që duan të largohen për në Angli, duke i kujtuar atyre masat që janë ashpërsuar nga qeveria e Rishi Sunak.
Me anë të një postimi, ambasada sjell në vëmendje rreziqet që mund të vijnë nga emigracioni i paligjshëm në Britani.
“Mbretëria e Bashkuar ka ashpërsuar dënimet, ka rritur periudhën e burgimit dhe po dëbon më shumë shqiptarë që udhëtojnë në Britani në mënyrë të paligjshme.
Shumë shqiptarë po dëbohen nga Mbretëria e Bashkuar sepse kanë udhëtuar në mënyrë të paligjshme. Ti mund të jesh një nga ata”, thuhet ne mesazhin e ambasades.
Rreziqet e udhëtimit drejt MB-së me anije të vogla përfshijnë: kushtet e detit ndryshojnë shpejt, anija mund të përmbyset apo të zhytet; ju mund të bini në det dhe të mbyteni, kjo mund të ndodhë brenda disa minutave pasi uji është shumë i ftohtë; anija mund të prishet gjatë udhëtimit, anijet që ofrojnë kontrabandistët shpesh janë të papërshtatshme për udhëtime të gjata; anija juaj mund të goditet nga një anije më të madhe, deti mes Anglisë dhe Francës është zona me trafikun më të madh detar në botë.
Rreziqet e udhëtimit drejt MB-së të fshehur në një kamion përfshijnë: mund të shtypeni teksa mundoheni të kapeni në një mjet në lëvizje; rrezikoni të vdisni të ngrirë brenda një mjeti frigoriferik; mund të mbyteni lehtësisht nga mungesa e ajrit në një kontejner ose kamion mallrash të mbyllur; mund të lëndoheni nga sende që mund të bien sipër jush; mund të rrëzoheni në rrugë ose poshtë kamionit./btvnews.al