E premte, 17 Janar, 2025

“Nuk i kemi asnjë borxh Mesit”, Laporta: Do të falimentonim nëse…

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i është kthyer edhe një herë tjetër realitetit në klubin katalanas gjatë një intervistë të dhënë për “Cadena SER”.

Ngado të rrotullohet, një nga pikat që e gërvisht më shumë numrin një të klubit të Barcelonës është Lionel Mesi, largimi i tij në verën e vitit 2021, por dhe mundësia e një rikthimi që po shuhet dita-ditës.

Laporta ka folur edhe për merkaton e Barcelonës, duke përjashtuar mundësinë e shpenzimeve të mëdha, siç është rasti i Bernardo Silvës, për të cilën mendohet se klubi spanjoll është gati të paguajë deri në 80 milionë euro.

MESI – “M’u desh të vendosja Barcelonën përpara lojtarit më të mirë në historinë e futbollit. Në ato momente klubi ishte një katastrofë ekonomike, e kishim të pamundur që ta mbanim. Unë mendoj se në ato momente bëra zgjedhjen më të mirë për klubin. Tani ai është një lojtar i Paris SG-së dhe nuk është mirë të diskutojmë shpesh për të. Ne jemi të fokusuar te Barcelona. Leo do të jetë gjithnjë pjesë e historisë së këtij klubi, gjithnjë pjesë e stemës sonë. Dhe të gjithë do të dëshironim një fund tjetër nga ai që pati”.

MARRËDHËNIET ME LEON – “Ka persona nga rrethi i tij që flasin se marrëdhëniet mes meje dhe Leos janë të ngrira. Por e vërteta është ndryshe. Ne komunikojmë bashkë. Borxhet? Nuk i kemi asnjë borxh Mesit. Kemi rënë dakord me të dhe do të respektojmë marrëveshjet e lidhura mes nesh”. BERNARDO SILVA – “Të jeni të sigurt, nuk kemi ndër mend të paguajmë 80 milionë euro për Bernardo Silvën. Ua garantoj këtë. Haland? Po shohim se çfarë po bën te Mançester Siti, po luan shkëlqyer. Por ne kemi Levandovskin dhe jemi të lumtur me të”.

BOTËRORI – “Kur pashë se në finale ishin Franca dhe Argjentina u qetësova në një farë mënyre. Nëse do të fitonte Argjentina do të isha i lumtur për Mesin. Nëse do të fitonte Franca do të isha i lumtur për Dembelenë, Kundenë. Në fund mendoj se Leo e meritoi titullin me Argjentinën”.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit