Ylli televiziv amerikan, Jen Shah, u dënua sot me 6 vjet e gjysmë burgim për mashtrim me telemarketing në SHBA në periudhën mes viteve 2012-2021. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se ka qenë një prej faktorëve kryesorë të një skeme të gjerë mashtrimi, që ka përfshirë edhe Kosovën.
Shah, yll i serialit televiziv amerikan “Real Housewives”, u arrestua në mars të vitit 2021. Në qershor të vitit 2022 u paraqit para gjykatës në Manhattan duke pranuar fajin për mashtrim. Siç raportonte NBC News, ajo ishte pajtuar të paguante gjobë 9.5 milionë euro dhe të dorëzonte 5 milionë të tjerë. Në deklaratën e bërë atë kohë Shah pati thënë se “e di që ishte gabim” dhe kërkonte falje. Shah akuzohej për mashtrim të mijëra njerëzve.
Pranimi i fajit në qershor bëri që Shahu të shmangte gjykimin. Shah ishte faktor kyç në skemën e mashtrimit në SHBA, në të cilën kryesisht viktima qenë të moshuarit. Sipas Prokurorisë, viktimave u jepeshin premtime të rreme për siguri financiare në rast se investonin në shërbimin online, por në vend të kësaj Shah dhe bashkëpunëtorët mashtronin viktimat dhe i linin pa asnjë cent. Viktima të mashtrimit ishin mijëra qytetarë në Shtetet e Bashkuara, shumica mbi moshën 55-vjeçare. Sipas Prokurorisë, skema e mashtrimit funksiononte më gjerë, duke trafikuar listat me emrat e viktimave të mundshme, kryesisht me “emra të cilët veçse kishin investuar në biznese online”.
“Biznesi” i Shahut nisi në Manhattan më 2017, ndërsa më vonë raportohet se e lëvizi drejt Kosovës për t’i shmangur kontrollet e institucioneve amerikane. Për zgjerimin e biznesit jashtë SHBA-së nuk janë bërë të ditura detaje të tjera. Pos Kosovës, është përmendur edhe Qiproja si mundësi e zgjerimit të biznesit mashtrues të Shahut.