Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të shtunë në afërsi të qytetit të Peshkopisë. Një efektiv i policisë rrugore ka mbetur i plagosur rëndë teksa kryente detyrën duke drejtuar trafikun e automjeteve pasi ishte bllokuar rruga.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14.00, në vendin e quajtur ‘Qenok’, ku një mjet i tonazhit të rëndë kamion kishte pësuar defekt duke bllokuar aksin rrugor. Menjëherë patrulla e Policisë Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet.
Gjatë momentit që punonjësi i Policisë Rrugore po rregullonte trafikun, ka plasur njëra nga gomat e kamionit dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë rrugore shtetasi Tonin Tosku.
Punonjësi i Policisë është dërguar fillimisht në spitalin e Dibrës dhe më pas me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë për shkak se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka dëmtuar të dy këmbët.
Burime nga policia e Dibrës thanë se plasja e gomës së mjetit të tonazhit të rëndë ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme jo si në rastin e Lezhës që ka qenë duke e fryrë. Grupi hetimor që shkoi në vendin e ngjarjes po heton tonazhin e mjetit, i cili dyshohet të jetë mbi normën e lejuar.
Po ashtu, mësohet se është shoqëruar për në komisariatin e Policisë Dibër, drejtuesi i automjetit të tonazhit të rëndë i cili po transportonte pllaka për shtrim trotuari. /btvnews.al