Grupi i hakerëve “Anonymous” ka publikuar të tjera mesazhe në drejtim të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në mesazhet e ditës së sotme ata i drejtohen Vuçiçit duke e quajtur si kukulla e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Hej, kukull e Putinit, ku je? Ende me qentë?”, ishte mesazhi drejtuar Vuçiç.
Kujtojmë se qysh në fund të dhjetorit, ky grup hakerësh doli me një mesazh përmes videos, ku shtjellonte problemet që regjimi i Beogradit po shkaktonte në pjesën veriore të Kosovës.
“Ne kemi vërejtur se grupet kriminale serbe po përpiqen të provokojnë një konflikt të armatosur përmes tensioneve dhe provokimeve luftarake në veri të Kosovës. Presidenti autokratik serb Aleksandar Vuçiç, një kukull e Vladimir Putinit, po përpiqet të destabilizojë rajonin duke përdorur mekanizmat e dhunës dhe terrorit të kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq, por dihet se tentativat e tij do të jenë vetëvrasëse”, tha Anonymous në fund të vitit të kaluar.
Ndërsa disa ditë më parë, ata pretenduan se hakuan adresat elektronike të ushtrisë serbe.
Vuçiç nga ana e tij i është përgjigjur së fundi duke postuar një foto të tij duke luajtur me qentë.
“Në kulmin e luftës në Ukrainë, Serbia ishte ende i vetmi vend që deklaroi zyrtarisht aleancë me Rusinë, duke refuzuar ftesat e vazhdueshme të Perëndimit për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian”, thuhej në një tjetër mesazh të tyre, lidhur me qëndrimin e Serbisë për luftën në Ukrainë.
“Reagimi ynë kolektiv do të jetë vendimtar dhe i menjëhershëm. Anonymous nuk është një grup i vogël njerëzish të pafuqishëm për t’u injoruar. Ne jemi një kolektiv i organizuar dhe globalisht aktiv i njerëzve me mendje të njëjtë dhe nëse nuk i ndaloni veprimet tuaja të rrezikshme në Kosovë, mesazhi ynë do të jetë i qartë”, thuhej në një tjetër reagim të tyre.
Kujtojmë se muajt e fundit ka pasur përpasje të forta Kosovë-Serbi, lidhur me situatën e tensionuar në Veri, për shkak të kërkesave të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave, që kulmoi me vendosjen e barrikadave në rrugët hyrëse.