Karburanti në Shqipëri është fiksuar në çmime të larta nga Bordi i Transparencës i qeverisë, edhe pse çmimi në bursat ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm.
Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi, duke u përafruar ndjeshëm kuotave më të ulëta të vitit 2022. Sot një fuçi naftë kushton 79 dollarë, ndërsa në Shqipëri një litër naftë vazhdon të kushtojë 199 lekë.
Hera e fundit që Bordi i Transparencës ndërhyri për vendosjen e çmimit të karburanteve ishte 20 dhjetori i vitit të shkuar dhe bëhen tre javë që Bordi nuk mblidhet, megjithëse akti normativ, mbi të cilin u ngrit, përcakton që Bordi mblidhet të paktën një herë në javë.
Sipas ekspertëve, kjo politikë godet interesin publik, favorizon rritjen e sforcuar të të ardhurave buxhetore dhe mbështet kontrabandën masive të naftës. Bordi i Transparencës është në varësi të ekzekutivit dhe në konflikt të plotë interesi, përbëhet në gjysmën e tij nga përfaqësues të vetë subjekteve tregtare. Ekzistenca dhe veprimtaria e Bordit të karburanteve është paditur në Gjykatën Kushtetuese, nga PD-ja, që kërkon shfuqizimin e tij. /btvnews.al