Një tjetër emër shumë i njohur i futbollit europian mund t’i bashkohet Kristiano Ronaldos në kampionatin e Arabisë Saudite me fanellën e Al Nassr. Marko Rojs, lideri i padiskutueshëm në këto vite i Borusia Dortmund dhe një emër i njohur edhe në kombëtaren gjermane, duket se është gati të lëvizë drejt kampionatit saudit në verë.
Futbollisti është në vitin e fundit të kontratës me Borusia Dortmund dhe pavarësisht rolit thelbësor që ka në ekip, rinovimi me të nuk ka ardhur. Kështu, ai po mendon të përfitojë disa miliona në Arabinë Saudite para se të varë këpucët në gozhdë.
“Sigurisht që po mendoj për të ardhmen. Kam vetëm 6 muaj të mbetur në kontratë me Borusian por nuk jam nervoz. Al Nassr? Menaxheri im ka folur me ta.
Gjëja më e rëndësishme tani është të qëndroj në formë dhe të përqendrohem te objektivat e skuadrës. Pjesën tjetër do ta vendosim në vijim, menaxheri im merret me gjithçka. Në qershor do të shohim”, theksoi Rojs për “Sport1”, duke qenë i hapur me sa duket rreth transferimit në Arabinë Saudite.