Policia italiane ka vënë në pranga 18 persona, mes të cilëve dhe shqiptarë. Mësohet se nga 18 të arrestuarit 3 janë lënë në burg, 2 në arrest shtëpie dhe 13 me detyrim paraqitje. Mediat vendase bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar në disa qytete si Padova, Udine, Rimini, Venecia, Trieste, Gorizia dhe Milano.
Nga ky operacion është shkatërruar një grup që dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës dhe drogërave të tjera. Policia ka arritur që të sekuestrojë 47 kilogramë kokainë që nëse do të hidheshin në treg do kapnin vlerën 7 milionë Euro.
Tre nga të dyshuarit akuzohen edhe për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Ibiza të Spanjës në qershor 2021, ku u plagos rëndë një kuzhinier me origjinë nga Napoli.
Mes personave të arrestuar, veç shtetasve italianë dhe rumunë, janë edhe 3 shqiptarë, një 38-vjeçar me banim në Rubano, i cili është lënë në burg, një shqiptar 49-vjeçar me banim në Milano i cili u la në detyrim paraqitje, si dhe një shqiptar 38-vjeçar me banim në Selvazzano Dentro gjithashtu në detyrim paraqitje.
Shqiptari i cili është lënë në burg është përgjuar në bashkëbisedim me një italian lidhur me blerjen e 100 kg kokainë në Amerikën Qendrore duke shkuar vetë aty, të cilën më pas do e sillnin në vitin 2021 në portin e Antwerp në Belgjikë e më pas në Itali./btvnews.al