Mbretërimi i Kostandinit përkoi me një nga periudhat më të trazuara në histori.
Ish-mbreti i Greqisë, Konstandini II, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. I lindur më 2 qershor 1940 në Athinë, ai hipi në fron më 6 mars të vitit 1964, në moshën 24-vjeçare, duke pasuar të atin, Pavlin I, pas vdekjes së tij.
Në shtator të po atij viti u martua me princeshën e atëhershme të Danimarkës, Anna Maria, me të cilën pati tre djem dhe dy vajza. Gjatë kohës kur qëndroi si mbret shteti fqinj u karakterizua nga paqëndrueshmëria politike e cila arriti kulmin me një grusht shteti ushtarak më 21 prill 1967.
Disa muaj më vonë, ai u detyrua të largohej nga vendi pasi udhëhoqi një kundërgrusht të pasuksesshëm kundër juntës së atëhershme ushtarake.
Ai qëndroi në Romë derisa Junta shfuqizoi monarkinë në 1973. Në një referendum të thirrur nga një qeveria e udhëhequr nga ish-presidenti Konstantinos Karamanlis pas rënies së juntës në 1974, grekët refuzuan monarkinë për herë të dytë, duke e bërë Konstandinin mbretin e fundit të Greqisë.