Me rastin e 110-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar, në ambientet e komisariatit të policisë së Bulqizës, është zhvilluar një ceremoni në shenje nderimi, mirënjohjeje dhe respekti, për të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e policisë, të cilët kanë dhënë dhe po japin kontributin e tyre në ndihmë të komunitetit.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryetari bashkisë, Lefter Alla, si dhe nënprefekti i Bulqizës Avni Muliu. Nuk kanë munguar në këtë aktivitet që përkujton 110-vjetorin e krijimit të policisë së shtetit, edhe veterane, ish-pjesëtare ndër vite të uniformave blu, por edhe familjare të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Bulqizës, Arben Sula, e ka cilësuar këtë ditë, 13 Janarin, si një ditë shume të rëndësishme për policinë e shtetit ndërsa ka kërkuar vlerësimin maksimal për punën e punonjësve dhe ish-pjesëtareve të Policisë së Shtetit.
Vlerësime kanë ardhur në këtë ceremoni nga kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, i cili uroi uniformat blu për punën e tyre. Ndërkohë në këtë ceremoni shefi i komisariatit, Arben Sula, nderoi me certifikatë mirënjohje punonjësin e policisë, Venard Isaku, për punën dhe kontributin e tij shembullor në Policinë e Shtetit./btvnews.al