Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka bërë këtë të premte një kërkesë bashkive në vend për të përmbushur detyrimin ligjor për të caktuar vendin e votimit.
Në një postim në mediat sociale, Celibashi shkruan se është tejkaluar çdo afat ndaj u bën thirrje bashkive që kanë shkelur ligjin të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre.
“Në vijim të bashkëpunimit dhe komunikimit mbi organizimin e procesit zgjedhor të datës #14MAJ2023, KQZ ka administruar informacionin e ardhur në rrugë elektronike dhe postare për qendrat e votimit dhe për publikimin e ekstraktit të përbërësve zgjedhor, nga ku rezulton se jo të gjitha bashkitë kanë përmbushur detyrimin e tyre.
Duke qenë në tejkalim të çdo afati, kërkohet që bashkitë të cilat ende nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor të mësipërm të marrin masa MENJËHERË dhe të përmbushin detyrimet e tyre. Gjithashtu duhet realizuar në të njëjtën kohë edhe dërgimi në rrugë elektronike i hartave të qendrave të votimit”, është ky mesazhi i kryekomisionerit./btvnews.al