E martë, 3 Dhjetor, 2024

SHBA dhe Japonia bashkojnë forcat, në bashkëveprim të plotë përballë kërcënimit nga Kina

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të krijojnë një njësi moderne detare me seli në Okinawa, për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit aleat, Japonisë, si dhe të të gjithë rajonit Indo-Paqësor nga kërcënimet në rritje nga Kina. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, thellimi i bashkëpunimit vjen ndërsa Presidenti Joe Biden mirëpret sot Kryeministrin japonez Fumio Kishida në Shtëpinë e Bardhë.

Kërcënimet në rritje nga Kina i kanë nxitur Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë të zgjerojnë dhe të thellojnë bashkëpunimin ushtarak dhe diplomatik në nivelin më të lartë deri më tani, thonë zyrtarët e lartë amerikanë.

Të enjten, koordinatori për Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se Presidenti Joe Biden është shumë i kënaqur me marrëdhënien e forcuar të Shteteve të Bashkuara me Japoninë dhe do ta mirëpresë sot Kryeministrin Fumio Kishida në Shtëpinë e Bardhë. “Japonia i ka shtuar përpjekjet dhe po bashkëvepron me Shtetet e Bashkuara. Investimet tona për aleancën po sjellin përfitime të mëdha dhe ne do ta festojmë këtë nesër”, tha zoti Kirby.

Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken mirëpriti ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Japonisë në Departamentin e Shtetit, ku përshëndeti disa ndryshime madhore në këtë marrëdhënie, me qëllim përballjen me kërcënimin nga Kina në rajonin Indo-Paqësor.

“Mendoj se ajo që shihni në kohë reale është një aleancë që po modernizohet, dhe Shtetet e Bashkuara dhe Japonia po punojnë së bashku për t’u përgatitur për sfidat që po lindin në rajonin Indo-Paqësor dhe më tej”, tha Sekretari Blinken.

I pyetur nëse mendon se është shumë e afërt mundësia e një sulmi kinez ndaj Tajvanit, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ka vërejtur rishtazi sjellje provokative ushtarake nga Kina. “Dhe sërish, ne mendojmë se po përpiqen të krijojnë një ‘normalitet të ri’. Por nuk mendoj se kjo do të përkthehet në një sulm të afërm”, tha Sekretari Austin.

Më herët këtë javë, forcat japoneze morën pjesë në stërvitje të përbashkëta me forcat britanike, amerikane dhe australiane në afërsi të Tokios. Në manovra u përfshinë njëzet avionë, dhjetëra autoblinda ushtarake, dhe sistemet e raketave të mbrojtjes kundërajrore të Japonisë.

Gjatë vizitës së tij në Britani, Kryeministri Kishida nënshkroi një marrëveshje mbrojtjeje me Britaninë. Kjo është marrëveshja e parë që Tokio ka me një vend aleat në Evropë. Gjithashtu, Britania, Japonia dhe Italia kanë bashkuar forcat për të prodhuar një avion luftarak të gjeneratës së gjashtë. Prototipi për të cilin po punon tashmë firma britanike BAE Systems njihen me emrin “Tempest”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze reagoi kundër nocionit se Kina përbën një rrezik për sigurinë. Zoti Wang Wenbin foli edhe për thellimin e marrëdhënies SHBA-Japoni. “Shtetet e Bashkuara dhe Japonia duhet të sigurohen se nuk do të dëmtojnë interesat e një pale të tretë, apo paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha ai.

Sekretari i Shtetit Blinken dhe ai i Mbrojtjes Austin mirëpritën njoftimin rishtazi nga Japonia se do të bëjë rritjen më të madhe të kapaciteteve ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore, përfshirë kapacitetin për të bërë kundërsulme ndaj bazave armike. Në një deklaratë të përbashkët, zyrtarët e lartë amerikanë dhe japonezë shprehen qartazi se Kina është sfida më e madhe strategjike dhe se përbën një kërcënim të pahasur më parë për rendin botëror./Zëri i Amerikës

Artikuj te ngjashem

Me te fundit