Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Bekim Balaj, është rikthyer në kampionatin vendas duke mbyllur kështu karrierën në klubet ndërkombëtare. Balaj është rikthyer aty ku hodhi hapat e para në futbollin e madh, me 32-vjeçarin që ka firmosur për Vllazninë.
Lajmin e bëri të ditur vetë klubi i futbollit Vllaznia, që njoftoi se palët kanë arritur marrëveshjen për të firmosur një kontratë 3-vjeçare, teksa Balaj ka pozuar edhe me fanellën kuqeblu, të cilën e vesh sërish pas plot 12 vitesh e gjysmë, që kur u largua në verën e 2010-ës.
“Klubi i Futbollit Vllaznia në përmbushje të objektivave sportiv, njofton se ka arritur marrëveshjen e bashkëpunimit për 3 sezone sportive, me lojtarin e Kombëtares shqiptare Bekim Balaj. MIRË SE VJEN BEKIM BALAJ!” është ky njoftimi i Vllaznisë.
Sulmuesi 32-vjeçar është rritur te Vllaznia, por ka luajtur vetëm një sezon me kuqeblutë, në periudhën 2009-2010, kur edhe ka shënuar 17 gola në 38 ndeshje, aq sa i mjaftuan për të tërhequr vëmendjen e skuadrave përtej kufijve.
Në karrierën e tij, Balaj ka luajtur me skuadra të njohura si Gençlerbirligi, Sparta Pragë, Slavia Pragë, Rijeka, Akhmat Grozny, Sturn Graz, Nizhni, Boluspor dhe Ankara Keciorengucu./btvnews.al