Kryetari i Partisë Demokratike në Dibër i zgjedhur nga procesi i rithemelimit në Prill të vitit të shkuar Ilir Krosi, është dorëhequr nga ky post. Dorëheqja e tij vjen pas vendimit të KOKOE për përsëritjen e zgjedhjeve për kandidatin që do t’i përfaqësojë në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Komisioni i Organizmit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale vendosi dy ditë më parë që primaret në Bashkinë Dibër të përsëriten. Vendimi erdhi pas ankimit të bërë nga kandidati Besnik Alku i cili e humbi garën në balotazh me vetëm 1 votë nga kandidati tjetër Ismail Uka.
Megjithëse është larguar nga pozicioni i drejtuesit, Ilir Krosi deklaron se do të vazhdojë të jetë pjesë e rithemelimit.
“Mbetem mbështetës i PD së Rithemeluar dhe i interesave të demokratëve, kontribuues me të gjitha mënyrat e mundësitë që kam dhe që do të kem, tashmë si një anëtarë i thjeshtë i PD. Kjo do të jetë evidente që në sfidën që kemi para, gara e zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, ku do jem i rreshtuar në mbështetje të Kandidatëve të PD së Rithemeluar apo Koalicionit të saj si në Dibër, në Bulqizë e kudo” thuhet në një pjesë të deklaratës së dorëheqjes.
Ndërkohë, me 21 Janar do të zhvillohen zgjedhjet për kandidatin që do të garojë me 14 Maj, ku KOKOE ka kërkuar që të jenë të gjithë kandidatët e zgjedhjeve të 4 Dhjetorit të vitit të kaluar./btvnews.al