E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Kryebashkiaku i Shkodrës publikon videon: Është kthyer në fenomen, Rama propagandon “Ballkanin e Hapur”

Tre ditë pas dhunës së ushtruar nga forcat e policisë së Malit të Zi ndaj Petraq Milos, ish-këshilltar i presidentit dhe anëtar i kryesisë së Partisë së Lirisë, sot kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, ka publikuar të tjera pamje, ku ai thotë se fenomeni i dhunës ndaj shqiptarëve nuk është një rast i izoluar.

Me anë të një postimi në Facebook, Spahia drejton gishtin ndaj autoriteteve shqiptare, për të cilat thotë se nuk ka asnjë reagim.

Sipas tij, “shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të mos reagojë, e aq më pak t’i trajtojë këto incidente me indiferentizëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë”.

“Asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare për dhunën në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në doganën e Muriqanit ndaj shtetasve shqiptarë.

E ndërsa heshtja mbetet kryefjalë e palës shqiptare dhe asaj malazeze, një tjetër video ka dalë në rrjetet sociale ku dëshmohet me zë dhe figurë se fenomeni nuk është i izoluar, por një rast i përsëritur.

Dhuna mbetet një akt i papranueshëm, prandaj e dënoj me forcë këtë sjellje të individëve që mbajnë uniformën e shtetit dhe sillen në mënyrë brutale me qytetarët, kur do të duhej të dëshmohej krejt e kundërta. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të mos reagojë, e aq më pak t’i trajtojë këto incidente me indiferentizëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në njërin krah kryeministri propagandon nismën e “Ballkanit të Hapur”, e në krahun tjetër ai dhe institucionet e varësisë mbyllin sy e veshë përballë shfaqjeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mirë”, shkruan Spahia në rrjetet sociale.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit