Një 18-vjeçar është arrestuar këtë të enjte nga policia, pasi është kapur nga radari duke drejtuar makinën me një shpejtësi tej normave të lejuara. Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës bën me dije se i riu po lëvizte me shpejtësi 216 km/h dhe nuk kishte patentë.
Duke marrë shkas nga ky rast, Policia Rrugore e Tiranës u bënë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
NJOFTIMI I PLOTË
Drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h, vihet në pranga 18-vjeçari.Shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nisur nga analiza e kryer për rrugët më me risk, si dhe për drejtuesit e mjeteve që shfrytëzojnë disa akse rrugore për të qarkulluar me shpejtësi të lartë apo për të bërë gara shpejtësie, kanë vijuar monitorimin e qarkullimit rrugor me anë të radarëve automatikë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 18 vjeç, pasi drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor./btvnews.al