E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Moti i keq, policia “zbarkon” në rrugë. Ja thirrja që bëhet për drejtuesit e mjeteve

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë kaluar në gatishmëri, në të gjitha rrugët e vendit, për të menaxhuar trafikun dhe për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, në situatën e krijuar si pasojë e motit të keq.

Në gatishmëri janë edhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

“Për shkak të reshjeve të shiut, në segmentet rrugore ka prezencë të ujit dhe në këto kushte rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore është më i lartë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë, në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe monitorimin e qarkullimit të automjeteve të akset rrugore në të cilat janë krijuar vështirësi për shkak të motit të keq.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit.

Drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve të ndjekin dhe të zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e Policisë Rrugore dhe të telefonojnë në numrin 112, për problematikat që mund të hasin gjatë udhëtimit të vështirësuar për shkak të motit të keq”, thuhet në njoftimin e policisë. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit