E martë, 26 Nëntor, 2024

Njihej si mjeku personal i Enver Hoxhës, ndahet nga jeta mjeku Isuf Kalo

Mjeku i njohur Isuf Kalo është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare pasditen e kësaj të enjteje. Mësohet se Kalo prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ka mundur që të fitojë do betejën me këtë sëmundje.

I njohur si mjeku i Enver Hoxhës, Kalo lindi në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964. Ai u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji.

Për disa vite ishte kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai ishte Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.

Për vdekjen e mjekut Kalo ka reaguar dhe ministrja Ogerta Manastirliu, e cila shkruan se kontributi i tij është i paçmuar për mjekësinë shqiptare.

Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Isuf Kalos. Bisedën e fundit me prof. Kalon e pata në mesin e dhjetorit, kur e ftova për të marrë pjesë në një prej atyre ngjarjeve që për profesorin ishin ”pikë e dobët”, akreditimi i institucioneve shëndetësore. Një proces që kishte pionier prof. Kalon dhe vizionin e tij.

Por kontributi i profesor Isuf Kalos është i paçmuar për mjekësinë shqiptare, në shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT për disa dekada. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të shumtë të profesorit. U prehsh në paqe prof. Kalo”, është ky postimi i Manastirliut./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit