Të dërguarit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian do të vizitojnë këtë të premte Kosovën, e më pas Serbinë ku do të kërkojnë avancimin e dialogut mes dy vendeve.
Qeveria e Kosovës në një njoftim për mediat bën me dije se axhenda e të dërguarve të fuqive të mëdha do të nisë nga takimi me Kryeministrin Albin Kurti.
Më pas do të zhvillojnë takime dhe me liderët e tjerë politikë dhe të institucioneve në Kosovë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim./btvnews.al