E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Përfitonte para duke iu premtuar qytetarëve se do t’i pajiste me certifikata pronësie, arrestohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Korçës pasi akuzohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas njoftimit të policisë, i riu ishte punonjës në një zyrë private konsulence dhe mashtronte qytetarët se do t’i pajiste me certifikatë pronësie në këmbim të parave.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan operacionin e koduar “Pronësia e rreme”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

E. Ç., 27 vjeç, banues në Korçë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë periudhës qershor-tetor 2022, duke shfrytëzuar pozicionin e tij të punës në një zyre private konsulence në fushën e pronësisë, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm, duke i mashtruar ata me premtimin se do t’i pajiste me certifikata pronësie.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të shtetasit E. Ç., në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit