E premte, 29 Nëntor, 2024

Permbytjet ne Shqiperi/ Si paraqitet situata ne vend

I gjithë territori i vendit vijon të jetë I përfshirë nga reshje shiu si dhe reshje bore në relievet malore mbi 500 metër, por nga të gjitha raportime në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara.
Sasia më e lartë e reshjeve të regjistruara gjatë natës ka qenë në qarqet e Lezhës, Elbasanit, Shkodrës Korçës, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka patur më pak reshje.

Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre. Hidrovoret janë gadishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje. Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme janë 25 mm, Prurjet janë 1350 m3/s.

Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës Koman-Vau i Dejës janë 40 mm, prurjet janë në Koman 650 m3/s dhe Vau i Dejës 130 m3/s. Në kaskaden e Drinit janë ulur shkarkimet krahasuar me ditën e djeshme, sot do të vijojnë me 300 m3/s. Ditën e sotme si pasojë e shtimit të reshjeve në qarkun Lezhë, kemi shkarkime në Digën Ura e Fanit, me 153 m3/s.

Sa i përket furnizimit me energji, vijon pa ndërprerje në Qarkun Fier dhe Vlorë, por kaproblematike veçanërisht në disa zona rurale dhe në disa nga zonat e thella. Kudo popunohet pa ndërprerje nga forcat e OSHEE për të rikthyer normalitetin. Në qarkun e Shkodrës nuk ka zgjerim të ahrtës së sipërfaqes së raportuar të përmbytur një ditë më parë. Kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji.

Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të orteqeve në vendin e quajtur “Tynelet Panoramike”. Në disa akse të tjera rrugore, forcat e ARRSH po punojnë për pastrimin e inerteve. Momentalisht i është dhënë zgjidhje me rrugë alternative qarkullimit në ato akse që janë të mbushura me inerte si në akset Bardhet-Iballë, në Fushë Arrëz.

Në qarkun e Lezhës ka normalizim të situatën në lagjen ‘Beslidhja”, është normalizuar qarkullimi në urën e fshatit Mërçi që lidh fshatin me superstradën Lezhë- Balldre. Po monitorohet situata në lagjen Skënderbeg dhe Lalm i Ri, ku ka prani uji në pak banesa.
Është bërë evakuimi i një familjeje prej 6 personash në lagjen Kodër Mulliri, njësia administrative Kolsh të cilën janë akomoduar në hotelet e zonës.

Në Mirditë lumi Fan ka shtuar prurjet, por momentalisht është brenda shtratit të tij
Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku punonjësit e emergjencave janë në terren për të riparuar çdo dëm sado i vogël. Në qarkun e Gjirokastrës po punohet për pastrimin e inerteve në rrugët midis fshatrave Kolonjë-Medar dhe Kolonjë-Golem , në njësinë administrative Picar, ndërsa aksi rrugor Erind – Çajup ka prezencë të borës.

Puna vijon për pastrimin e rrugëve në bashkinë Këlcyrë, ku në terren janë edhe forcat e policisë për të lehtësuar qarkullimin aty ku ka probleme.
Në qarkun Elbasan ka prani debore në segmentin rrugor Prrenjas – Qafë Thanë, në aksin Elbasan-Gjinar, kilometri i fundit dhe në disa akse që lidhin fshatrat e NJ.A Labinot
Edhe për ditën e sotme është ndërprerë mësimi në 56 shkolla, deri në një njoftim të dytë nga Ministria e Arsimit.

Forcat e Armatosura u janë përgjigjur nevojave të bashkive në këtë situatë. Kështu në bashkinë Lezhë janë angazhuar 40 trupa ushtarake si dhe janë dërguar 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 4 motopompa. Në bashkinë Shkodër në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit operuan 4 trupa me 1 mjet të kalueshmërisë së lartë. Ndërsa në bashkinë Mat, një mjet i kalueshmërisë së lartë me 6 forca. Ndërsa në gatishmëri për çdo lloj situate janë 1200 efektivë dhe 450 mjete.

Falë mirëmenaxhimit dhe bashkëpunimit të të gjitha strukturave mund të themi që kemi një situatë tejet nën kontroll. Forcat e Armatosura dhe Agjencia e Mbrojtjes Ciuvile do të vijojë të jetë në gatishmëri për çdo kërkesë nga pushteti vendor. Veçanërisht nga bashkitë që janë më shumë të prekura nga reshjet. U bëjmë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore në çdo rast nevoje. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit