E premte, 29 Nëntor, 2024

Sali Berisha: Yuri Kim, protagoniste kryesore e ‘woke culture’, kulturës që neverisin më së shumti shqiptarët

Ditën e sotme kreu i PD, Sali Berisha në takimin e përjavshëm me gazetarët tha se asgjë nuk mashtron dot demokratët, asnjë kërcënim nuk i bindi ata që tërhiqen nga rruga e rithemelimit të një opozite të vërtetë.

Demokratët kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës.

Fjala e Kreut të PD, Sali Berisha:

Në fakt, asgjë nuk i pengoi demokratët që të zgjedhin udhëheqjen e tyre.

Asgjë nuk mashtroi dot demokratët, asnjë kërcënim nga askush nuk i bindi ata që tërhiqen nga rruga e rithemelimit të një opozite të vërtetë.

Demokratët, e them këtu me siguri të plotë, janë dhe mbeten njerëz të idealeve demokratike dhe pro-perëndimore.

Por ata kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës.

Aq më tepër nga diplomatë që kanë dëmtuar shumë rëndë me qëndrimet e tyre, reputacionin e vendit të tyre te shqiptarët.

Me këtë rast, demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane.

Kjo mafie, siç është një rrezik i vërtetë për demokracinë shqiptare, fatmirësisht sot, del gjithnjë e më e qartë se është një rrezik për demokracinë amerikane.
Nuk kam ndërmend të komentoj më gjatë për një njeri, që ka dëmtuar me qëndrimet e saj, reputacionin e vendit të vet në Shqipëri.

Dhe, për ta mbyllur, një njeri që u bë protagoniste kryesore e asaj që quhet ‘woke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër.

E neverisin sepse kanë vuajtur më shumë se të tjerët. 45 vite kanë qenë falsifikim dhe mashtrim i historisë.

Kështu që shqiptarët e kapin në ajër, tendencën më të vogël të mashtrimit dhe falsifikimit. Mbyllni sytë dhe kujtoni se çfarë u bë në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes vendeve tona, se si u përdor teknika e amputimit për t’i mbyllur ato në vitin 1991. /btvnews.al 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit