Një tjetër familje e prekur nga lëkundjet e tërmetit të 15 Janarit është edhe kjo e Nuredin Hoxhës nga fshati Xibër-Murrize i Bashkisë Klos.
Siç shihet nga pamjet njëra nga faqet e murit të banesës 2-katëshe të tij është shembur duke rrezikuar gjithë ndërtesën. Kryefamiljari Nuredin Hoxha shprehet se ajo natë ka qenë e vështirë për familjen e tij teksa ndodhej pikërisht në dhomën ku gjysma e anës jugore të banesës u shemb.
Sipas tij, rreziku vazhdon për shkak edhe të dëborës që ka nisur të bjerë dhe pesha e saj mund ta shembë të gjithën.
Hoxha është në pritje të një zgjidhjeje nga ana e Bashkisë së Klosit pasi nuk mund të largohet nga aty sepse ka edhe kafshë shtëpiake. 5 anëtarët e familjes Hoxha janë në pritje të autoriteteve lokale se çfarë zgjidhje do t’i japin./btvnews.al