Situata nga reshjet është përmirësuar në të gjithë vendin. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një postim në mediat sociale sqaron se nuk ka banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë.
Po ashtu bën me dije se po punohet me ARRSH për zhbllokimin e të gjitha rrugëve që janë të paralizuara nga dëbora.
POSTIMI I PLOTË:
Në të gjithë territorin e vendit ka patur përmirësim të dukshëm të situatës që u krijua gjatë këtyre ditëve nga moti i keq. Nuk ka banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë, por forcat e emergjencave civile, të ndihmuara edhe nga efektivë të FA po qëndrojnë pranë banorëve në zonat, ku ka patur kërkesë për ndihmë.
Po punohet me borëpastruese nga firmat kontraktore dhe ARRSH për zhbllokimin e disa akseve në veri të vendit, në Bogë-Theth, Qafë Thore- Theth, Dushaj-Lekbibaj dhe kriposjen e disa akseve ku ka prani bore. Në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi është i lirë.
Janë dërguar ndihma nga Rezervat e Shtetit si: ushqime, batanije, e çadra për familjet në 4 bashkitë e prekura nga tërmeti i 15 janarit në qarkun e Dibrës./btvnews.al