Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në aksin Qafë Thore-Theth vazhdon rënia e ortekëve duke krijuar vështirësi për kalimin e mjeteve dhe dendësia e dëborës ka shkuar mbi 1 m.
Në një postim në mediat sociale, ARRSH u bën apel shoferëve që të tregojnë kujdes në drejtimin e automjeteve në këto kohë me reshje, duke u pajisur dhe me goma dimërore e zinxhirë për zonat malore.
“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka rënë intensiteti i reshjeve duke sjellë një qetësim të situatës. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa probleme. Në aksin Qafë Thore-Theth, në zonën e tuneleve, vazhdon rënia e ortekëve duke sjellë vështirësi për mjetet dhe punëtorët për pastrimin e rrugës, dendësia e dëborës mbi 1 m.
Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet. Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, është ky apeli i ARRSH./btvnews.al