Farid Borsali është rrugës për në lokalin e sindikatave, “Café des Syndicats”. Ai është 56 vjeç dhe punon në fabrikën e prodhimit të automjeteve Peugeot afër Parisit. Në lokal takohen kolegët që duan të dalin në protestë kundër reformës franceze të pensioneve. “Ne bëjmë punë me turne, punojmë natën. Prandaj është e pamundur që të punojmë deri në moshën 64 vjeçare”, thotë Farid. Ai është sindikalist mjaft i angazhuar. Me të dalin këto ditë në protesta më shumë se 1 milionë francezë.
Punë deri në moshën 64 vjeç, në vend të daljes në pension me 62 si dikur, – këtë e parashikon reforma, që sindikatat franceze nuk duan ta pranojnë. Në Gjermani po rritet mosha e pensionit deri në vitin 2030 – dalja në pension fillon në moshën 67 vjeçare. E për francezët mosha 64 vjeç është e papërfytyrueshme? Ajo që për francezët duket tmerr, është ëndërr për gjermanët.
Sisteme të ndryshme, hall i përbashkët
Sipas ekspertes për pensionet, Monika Queisser nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim, OCED sistemet e pensioneve janë shumë të ndryshme. Por një gjë ato e kanë të përbashkët. “Së pari ka rënë përqindja e lindjeve dhe e dyta është rritur jetëgjatësia. E tani duhet parë, se si duhet të veprojmë me këtë barrë shtesë, si mund ta shpëndajmë mes shumë supeve të fortë që të mos rëndohen vetëm të rinjtë. Por kjo duhet të jetë e financueshme.” Krahasimi europian i pensioneve ka të metat e veta. Shumë krahasime nuk janë të sakta, por për një këndvështrim të përgjithshëm ai mund të bëhet. Tre kritere kanë rëndësi: shpenzimet publike për to, sa i shtrenjtë është një sistem i tillë? Sa pension merr, dhe kur del në pension?
Holandezët punojnë më gjatë. Pensioni shtetëror tek ta fillon me 66 vjeç. Megjithatë shumica ndal më herët së punuari, aty tek mosha 63. Edhe shumë gjermanët aktualisht ndalin së punuari rreth moshës 63 vjeç. Aktualisht kufiri shtetëror është me 64 vjeç, dhe po rritet vit pas viti. Italianët mesatarisht dalin në pension rreth moshës 63 vjeç, grekët me 60, francezet me rreth 61 vjeç.
Por për shkak të kontratave të ndryshme të punës dhe degëve të caktuara mund të ketë dallime të mëdha. Mosha reale dhe e zakonshme për daljen në pension nuk kanë ndonjë dallim të madh, e shumë vende po e rrisin gradualisht moshën e daljes në pension në vitet e ardhshme. Në Francë ajo është ende e ulët, por edhe aty duhet të kesh paguar rreth 45 vite kontribute pensioni për të dalë në moshën 62 vjeç në pension.
Sa përqind merret nga rroga në pension?
Sa pension marrin në fund pensionistët në BE? Ekspertët e OECD-së, bëjnë krahasimin me përqindjen e rrogës neto të fundit. Holandezët mund të dalin në pension me 89% të rrogës neto të fundit. Grekët me 84% të saj. Francezët me 74%. Pensionistët gjermanë dalin me pak më shumë se gjysma e rrogës neto të fundit. Lituanezët marrin më pak.
Monika Queisser nga OECD mendon se “nëse vendos kriterin e ‘pensionit më të mirë’, atëherë sigurisht që ka disa vende europiane jugore që ende paguajnë përqindje më të larta.” Janë këto vende që për krahasim japin një përqindje të madhe të kapacitetit të tyre ekonomik për pensionet. Para që mungon diku tjetër. Italia dhe Greqia japin 16% të vëllimit ekonomik për pensionet. Franca 13,4%. Gjermania 10.4%. Kurse Holanda përkundër kësaj jep 5%, irlandezët 3%. Megjithatë në Holandë kush banon apo punon në vend nga mosha 15 vjeç merr një pension minimal 1218 euro. Disa degë janë të detyruara të japin pensione pune. Por edhe në Holandë po rritet mosha e pensionit.
Plakje e popullsisë në Gjermani
Sisteme të përziera të sistemeve të pensioneve të financuara nga disa shtylla -private dhe të punëdhënësit si në Holandë ka edhe në Danimarkë apo Suedi, shprehet Queisser. Edhe sistemi gjerman nuk është i keq, sipas ekspertes, “por Gjermania përballet me një plakje të madhe”. Në Francë gjendja ka qenë ndryshe për një kohë të gjatë, nevoja për reforma u bë e madhe tani që gjendja është bërë e vështirë. Por Farid dhe më shumë se 1 milionë protestues nuk duan të ndalen. “2 vite më shumë punë do të thotë 2 vite më pak jetë”, thërret Farid. Franca do të përballet me protesta edhe më të mëdha.