Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave ndaj tij për lidhjen me ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, i cili është marrë nën hetim nga autoritetet amerikane.
Në një postim në Twitter, Rama thotë se hetimet nuk kanë lidhje me të, pasi në të kundërt, autoritetet amerikane do e kishin bërë të ditur.
Rama thotë se është mësuar me “gjyqin” politik dhe mediatik në Shqipëri, teksa shton se nuk do të merret me asnjë akuzë ndaj tij.
Postimi i Edi Ramës në Twitter:
Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!
Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.
Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë.