Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të mërkurë lidhur me akuzat që i janë bërë për lidhje me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.
Në një deklaratë për mediat, pas një mbledhje me drejtuesit e PS, Rama tha se e ka takuar disa herë ish-zyrtarin e FBI. Po ashtu thotë se drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë që e lidh atë apo qeverinë shqiptare.
“Besoj që njerëzit normalisht duhet të jenë mësuar që këtu opinioni ndahet në një pjesë që beson me do e mos atë që do të besojë dhe një pjesë tjetër që dëgjon dhe reflekton mbi faktet. Kjo është një çështje e hetuar nga drejtësia amerikane e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autor apo për vrasje nga pakujdesia kur vrasjet bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërorë dhe nuk ja përton askujt.
Në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje apo qeverisë së Shqipërisë. Përmendja e emrit si pjesë në një takim apo në një tjetër nuk ka lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Në përfundimet e hetimit në SHBA nuk ka asnjë lidhje me këto që thoni ju”, u shpreh Rama./btvnews.al