Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se shteti i tij do t’i dërgojë Ukrainës 31 tanke M1 Abrams, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin rus për pothuajse 12 muaj.
Duke folur në një konferencë për media në Uashington, Biden tha më 25 janar se aftësitë blinduese kanë qenë kritike për Ukrainën për të luftuar kundër një kundërshtari më të madh.
Megjithatë, Biden tha se kjo lëvizje nuk është “një kërcënim për Rusinë”. Ai shtoi se SHBA-ja do të trajnojë trupat ukrainase “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Vendimi i Uashingtonit për të dërguar tanke në Ukrainë, vjen po të njëjtën ditë që Gjermania i dha dritën e gjelbër dërgimit të tankeve të llojit Leopard.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të furnizojnë shtetin e tij me armatim, përfshirë tanket më moderne, duke thënë se “nevoja për to është shumë e madhe”./REL