E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Çfarë është Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit?

27 Janari është në mbarë botën Dita e Paralajmërimit dhe e Përkujtimit ndaj Viktimave të Holokaustit. Gjermania e aplikon ditën përkujtimore nga viti 1996, në Izrael dita qendrore përkujtimore është Yom HaShoa.

OKB: Paralajmërim nga urrejtja dhe racizmi

Në nëntor 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përmes Rezolutës 60/7 shpalli 27 Janarin Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit (International Holocaust Remembrance Day). Ajo deklaron, se “Holokausti, gjatë të cilit u vranë një e treta e popullit hebre si dhe një numër i madh pjesëtarësh të pakicave të tjera, në të gjitha kohërat duhet t’u shërbejë të gjithë njerëzve si paralajmërim nga rreziqet e urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit”. Gjermania dhe vende të tjera e kishin aplikuar kohë më parë këtë ditë përkujtimore.

Përse 27 Janari?

Më 27 Januar 1945 forcat e armatosura sovjetike, Ushtria e Kuqe, çliruan Kampin nacoionalsocialist të  Përqendrimit dhe Shfarrosjes Auzhvic-Birkenau. Ushtarët hasën pak të mbijetuar, rënojat e dhomave të gazit, kufoma dhe hirin e të vrarëve. Vetëm në Auzhvic janë vrarë rreth 1,1 milionë njerëz, shumica rreth 90 përqind e tyre ishin hebrej – e Auzhvici ishte vetëm një ndër kampet e shumta të përndjekjes dhe varsjeve masive në Europë nga Gjermania nacionalsocialiste.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore në Maj 1945 vdiqën mbi gjashtë milion hebrej, qindra mijëra sinti dhe romë, njerëz me aftësi të kufizuara, kundërshtarë politikë, njerëz, që përndiqeshin si homoseksualë, si kriminelë, dëshmitarë të Jehovait dhe shumë njerëz të tjerë, kundër të cilëve drejtohej terrori nacionalsocialist.

Në ditën e parë përkujtimore mbarëbotërore të Holokaustit më 27 Janar 2006 Sekretari i Përgjithshëm asokohe i OKB-së, Kofi Annan, theksoi: “Përkujtimi është edhe një sigurim për të ardhmen. Humnera që u arrit në kampet naziste të vrasjes, nisi me urrejtjen, paragjykimet dhe antisemitizmin. Përkujtimi i këtyre zanafillave mund të na ndërgjegjësojë që vazhdimisht t’i kemi parasysh këto shenja paralajmëruese.”

Berlin Bundestag Holocaust-Gedenktag | Rede Inge Auerbacher Überlebende

Parandalim i gjenocideve në të ardhmen

27 Janari është një mandat ndaj të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, të kujtojnë burrat, gratë e fëmijët e përndjekur e të vrarë. Rezoluta 60/7 ndalon çdo formë të përgënjeshtrimit të Holokaustit. Ajo mbështet zhvillimin e programeve kualifikuese për përkujtimin e Holokaustit dhe do të kontribuojë për parandalimin e gjenocideve në të ardhmen.

Duke iu referuar Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut rezoluta dënon të gjitha format e “intolerancës fetare, kryengritjes, ngacmimit apo dhunës kundër personave ose bashkësive bazuar në prejardhjen e tyre etnike apo bindjen fetare” në të gjithë botën.

Përkujtimi në Izrael: Yom HaShoa

Në Izrael nuk është 27 Janari dita qendrore përkujtimore, por Yom HaShoa, që shumicën e rasteve është në prill. Dy minuta në mbarë vendin gjëmojnë sirenat: autobusët, makinat e gjithçka ndalon. Njerëzit heshtin, përkujtojnë viktimat. Koncepti që përdoret zakonisht në nivel ndërkombëtar Holokaust vjen nga greqishtja dhe do të thotë “tërësisht i djegur”. Në Izrael bëhet fjalë për Shoa, “katastrofë”.

Për herë të parë u përcaktua “Dita e Përkujtimit ndaj Shoa-së dhe heroizmit hebre” më 1951, ndërsa me ligj kjo ditë u rregullua më 1959. Kjo ditë bie në muajin Nisan të kalendarit hebre. Si orientim u mor kryengritja në geton e Varshavës në prill 1943. Sipas traditës hebreje dita përkujtimore fillon mbrëmjen përpara. Në ditët përkujtimore ndizen gjashtë pishtarë, që simbolizojnë gjashtë milionë viktimat hebreje. Të nesërmen pasojnë veprimtaritë përkujtimore në memorialin Yad Vashem.

Në Yom HaShoa gjithashtu tradicionalisht zhvillohet në Poloni një marshim përkujtimor midis kampit qendror Auzhvic dhe rreth një kilometër më tutje kampit të shfarrosjes Auzhvic-Birkenau, ku u vranë shumica e njerëzve. Në këtë “marshim të të gjallëve” (March of the Living) marrin pjesë mijëra hebrej të reja e të rinj. Gjatë kohës së pandemisë korona përkujtimi u zhvillua në mënyrë virtuale.

Dita përkujtimore e Holokaustit në Gjermani

Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore me fitoren e aleatëve ndaj Gjermanisë së Hitlerit kaloi edhe një gjysmë shekulli: Në vitin 1996 ish-presidenti Roman Herzog shpalli 27 Janarin Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Nacionalsocializmit. Në godinat publike në Gjermani qysh atëherë në këtë ditë flamujt vendosen në gjysmë-shtizë. Shumë shkolla e trajtojnë këtë temë në orët e mësimit.

Mickey Levy në Bundestag, 27 janar 2022

Që nga viti 1996 gjithashtu organizohet më 27 Janar ose një ditë afër saj një seancë përkujtimore në Bundestag për viktimat e nacionalsocializmit. Ndërsa në vitet e para kryesisht mbanin fjalime përkujtimore politikanë gjermanë, gjithnjë e më shumë në vitet pasuese gjatë kësaj seance mbajnë fjalime shumë të mbijetuar të Holokaustit dhe politikanë nga vende të tjera, të cilët tregojnë për përvojat e tyre si: nga Izraeli, SHBA, Polonia, Franca, Spanja, Holanda, Çekia, Hungaria, Rusia apo Britania e Madhe. Ata rrëfejnë përvoja emocionuese dhe tërheqin vëmendjen. “Kurrë më! Kurrë më!”, apeloi më 2022 presidenti i Parlamentit të Izraelit, Mickey Levy.

Më 2011 për herë të parë me Zoni Weisz mbajti fjalim në Bundestag një pjestar i pakicës sinti dhe rome, më 2017 për herë të parë folën dy të afërm të viktimave të së ashtuquajturës eutanazi – vrasja e planifikuar e njerëzve me sëmundje të rënda ose aftësi të kufizuara.

Në qendër të seancës përkujtimore sivjet më 27 Janar 2023 për herë të parë do të flasin njerëz, që janë përndjekur gjatë nacionalsoclializmit për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. Rozette Kats nga Holanda do të flasë si e mbijetuar e Holokaustit, e cila angazhohet për pakicat e përndjekura seksuale./DW

Artikuj te ngjashem

Me te fundit