Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot në komunikimin e përjavshëm me gazetarët se Edi Rama e ka shndërruar Tiranën, zyrën e tij, në një kënetë të vërtetë korruptive. Berisha foli për çështjen “McGonigal”, zyrtarit të FBI-së, mik i kryeministrit shqiptar, duke theksuar se Rama ka përdorur edhe paraardhësin e tij kundër opozitës.
” McGonigal jo rastëssiht ka zgjedhur Tiranën. Megjithatë unë i bëj thirrje FBI-së dhe Kongresit të SHBA, të hetojnë me seriozitetin më të madh se cilat janë pikat që bashkuan Edi Ramën me McGonigal. kush e solli, kush e rekomandoi, kush qëndron në mes të këtij akti makabër ndaj një vendi partner, ndaj SHBA.
Shtoj këtu se në grupin e personave që hetohen nga pala amerikane është edhe parardhësi i McGonigal, Lou Bladel, i cili ka kontrata të firmosura me qeverinë e Edi Ramës.
I cili rezulton të jetë i implikuar direkt, sipas të dhënave, në betejat kundër opozitës. I bëj thirrje edhe njëherë Kongresit të SHBA dhe FBI-së, të hetojnë të gjitha veprimtaritë e McGonigal dhe paraardhësit të tij”, tha Berisha.
Sipas tij, gjykata amerikane e konsideron qeverinë shqiptare një çerdhe korrupsioni
“Gjithashtu dua të sjell në vëmendjen e madhe se Juria e Madhe e San Françiskos, që ka urdhëruar hetimin e çdo regjistrimi, materiali, dokumenti, personi, përfshi këtu telefonat, emailin, aplikacionet e enkriptuara, mesazhet zanore, midis Charles McGonigal për pikat që vijojnë:
Agron Nezës, Tomas Fitzgerald- bashkëpunëtor i McGonigal, Lou Bladel- i kontraktuar nga Edi Rama për veprimtari me pamje të parë policinë, por në fakt kundër opozitës, qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe çdo personi të lidhur me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Imagjinoni se çfarë çerdheje, çfarë votre korruptive e konsideron gjykata amerikane qeverinë e Shqipërisë, çdo personi të lidhur me qeverinë këtu, përfshi këtu dhe jo vetëm kryeministrin Edi Rama. Çdo lloj dhurate, pagese për Charles McGonigal nga Agron Neza, Dorian Duçka apo person tjetër i lidhur me qeverinë e Shqipërisë”, u shpreh kreu i PD.
Berisha përsëriti vendosmërinë e PD për të udhëhequr revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi.
“Akuzat më konkrete ndaj McGonigal janë në dosjen shqiptare. Çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, është faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Ndaj siç kam deklaruar, përsëris edhe njëherë vendosmërinë e PD për të udhëhequr revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore të paparë ndonjëherë në Shqipëri.
PD do të krijojë komision hetimor parlamentar me qëllimin e bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e SHBA për zbardhjen në çdo detaj të kësaj afere që ka tronditur SHBA, NATO-n dhe gjithë botën e lirë.
PD po mbledh dhe do dërgojë të gjithë informacionin se në shkelje flagrante të sanksioneve ndaj mikut të tij, oligarkut të Putinit, Deripaska ka vazhduar aktivitetin i pashqetësuar për katër vite që nga momenti i vendosjes së sanksioneve, nga viti 2018 deri në vitin 2022, i paturbuar. Me lobimin apo jo të Charles McGonigal këtë duhet ta sqarojë drejtësia e SHBA. Por ne jemi të vendosur të japim kontributin tonë”, tha Berisha. /btvnews.al