E premte, 29 Nëntor, 2024

VIDEO – Temperaturat e ulëta “zënë mat” Procesionaren e pishës në Bulqizë

Temperaturat jo normale për stinën e dimrit kanë bërë që procesionarja e pishës të niste zbritjen nga qeskat për t’Iu drejtuar një tjetër procesi të saj i cili është futja në tokë. Moti i ngrohtë gjatë Dhjetorit të vitit të kaluar dhe Janarit të këtij viti bënë që shumë prej qeskave që janë vendqëndrim i insektit dëmtues të pishës së zezë, Procesionares të çaheshin dhe krimbat të nisnin zbritjen drejt tokës.

Por siç duket ditët e fundit moti nuk i ka favorizuar, pasi temperaturat kanë zbritur në vlera negative, duke bërë që ato t’i gjejë të pambrojtura në strehën e tyre, por të ekspozuara në të ftohtë.

Specialistët shpresojnë që kjo do të ndikojë në uljen e infektimeve për shkak se ky insekt apo krimb në gjendjen e tanishme nuk i reziston një temperature poshtë – 5 gradë Celsius.

Ky që shihni është masivi pyjor me pishë të zezë në Fushë – Bulqizë dhe siç duket nga pamjet kanë një infektim të madh të të gjitha pishave që ndodhen në këtë zonë.

Sipas sinoptikanëve temperatura gjatë kësaj jave në Bulqizë pritet të zbresë deri në – 10 gradë Celsius, çka do të jepte një ndihmë të madhe në luftën ndaj procesionares./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit