Inflacioni në Eurozonë pritet që të ketë zbritur në 8.5% në janar 2023, sipas të dhënave paraprake që raportohen nga Eurostat, zyra e statistikave të Bashkimit Europian.
Ky tregues është në rënie nga 9.2% që ishte në dhjetor.
Sipas Eurostat, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore në janar (17.2%, krahasuar me 25.5% në dhjetor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (14.1%, krahasuar me 13.8% në dhjetor), mallrat industriale joenergjetike (6,9%, krahasuar me 6,4% në dhjetor) dhe shërbimet (4,2%, krahasuar me 4,4% në dhjetor).
Rënia e inflacionit në Eurozonë ndikon pozitivisht dhe në Shqipëri
Tendenca rënëse e çmimeve është konstatuar dhe në vend, duke filluar që nga nëntorit, teksa në tetor kishte arritur nivelin më të lartë në 20 vjet.
Në dhjetor inflacioni në vend, që mat ndryshimin e çmimeve për një shporte mallrash të caktuar, zbriti në 7.4% në dhjetor, nga 7.9% në nëntor dhe rekordin prej 8.3% që kishte arritur në tetor, kur u shënua niveli më i lartë që nga viti 1998.
foto galeri PreviousNext
Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2022 është 6,7% nga 2,0% që ishte në vitin 2021.
Ndryshe nga Europa, që është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë, në Shqipëri ndikimin kryesor e kanë dhënë ushqimet dhe karburantet, teksa çmimet e energjisë elektrike u mbajtën të pandryshuara.
Gjithsesi, një inflacion më i ulët në Europë ndikon pozitivisht Shqipërinë për shkak të çmimeve më të ulëta të importuara. Banka e Shqipërisë ka deklaruar se gati gjysma e inflacionit formohet nga çmimet e importuara.
Në Itali, një nga shtetet kryesore nga të cilat importojmë, inflacioni paraprak në janar vlerësohet në 10.6%, nga 12.6% që ishte rekordi në nëntor, sipas tabelave të Eurostat./Monitor/