Departamenti amerikan i Tregtisë i ka informuar kompanitë amerikane se nuk do të japë më licenca për eksportimin e teknologjisë për kompaninë Huwaei, duke e izoluar kështu kompaninë me seli në Shenzen nga furnizimet që i nevojiten për produktet e saj.
Sipas analistëve kjo lëvizje mund të jetë taktika më e fundit gjeo-ekonomike e administratës së Presidentit Biden.
Masat ndaj kompanive kineze filluan me administratën e ish-Presidentit Trump, i cili në vitin 2019 e shtoi kompaninë Huawei në listën e zezë të eksporteve, por bëri disa përjashtime që disa kompani amerikane, përfshirë kompanitë Qualcomm dhe Intel, të ofronin licenca për teknologjinë jo-5G.
Kompania Huawei dhe Pekini mohojnë se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të vendeve të tjera. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme Mao Ning akuzoi Uashingtonin se e ka shtrirë përtej kufijve të duhur konceptin e sigurisë kombëtare dhe ka abuzuar me fuqinë shtetërore për të dëmtuar konkurrentët kinezë./btvnews.al