Banorët që jetojnë në zonat rurale dhe që jetojnë me bujqësi pritet të përballen me një tjetër sezon të vështirë. Edhe pse për momentin ka një ulje të lehtë të çmimit të plehrave kimike, fermerët thonë se mbeten të papërballueshme.
Ky është Shefki Dani nga lagjja Zall Pleshë i Klosit. Për Shefkiun situata mbetet e njëjtë si ajo e vitit të kaluar ku të gjithë ndjehen të pafuqishëm për të punuar tokën. Ai mbarështon bagëti e për këtë i është dashur të marrë tokë me qira, por as në këtë mënyrë nuk po del me fitim.
Shefkiu tregon se edhe plehun kimik që e ka marrë për t’ia hedhur livadhit, e ka marrë borxh dhe shpreson ta shlyejë kur te shesë ndonjë qengj. Ai shprehet se e ka pamundur që ta mbjellë tokën pasi nuk i përballon dot kostot e të gjitha proceseve bujqësore përfshirë këtu edhe çmimin e farërave dhe plehrave kimike.
Ndonëse është ende herët për sezonin e mbjelljes, banorët që kanë në pronësi tokë bujqësore kërkojnë ulje të çmimeve të të gjitha proceseve, farërave e plehrave kimike./btvnews.al