Stilisti me famë botërore Paco Rabanne ka ndërruar jetë këtë të premte në moshën 88-vjeçare. Sipas BBC, ai humbi jetën në banesën e tij në Francë. “Ndër figurat më të rëndësishme të modës të shekullit të 20-të, trashëgimia e tij do të mbetet një burim i vazhdueshëm frymëzimi”, ishte ky njoftimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social, Instagram.
Stilisti spanjoll Rabanne, themeloi shtëpinë e tij të modës me të njëjtin emër në vitin 1966 dhe u prit me lëvdata e kritika.
Dy vite më vonë nënshkroi një marrëveshje me markën Puig me bazë në Katalonjë, firmë me emër në industrinë e modës dhe parfumeve.
Marrëveshja shënoi hyrjen e tij në industrinë e parfumeve, e cila përfundimisht do të bëhej sinonim i emrit të tij. Parfumi i tij debutues Calandre është ende në treg edhe sot.
Dizajneri u tërhoq nga moda në 1999. Në vitet e fundit ai bënte një jetë larg mediave dhe kamerave dhe daljet e tij në publik ishin shumë të rralla.
Rabanne ka marrë dhe dekoratën Oficer i Legjionit të Nderit në Francë, dekorata më e lartë e vendit, në vitin 2010./btvnews.al