Ish zyrtarja Alda Klosi është arrestuar, pas skandalit me vjedhen e parave nga pastruesja Rozeta Dobi, të cilin ajo e kishte raportuar vetë.
Policia ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë dhe ish zyrtarja, dikur shefja e kabinetit në “Ministrinë” e Rindërtimit, të drejtuar nga Arben Ahmetaj, është vënë në pranga pasi dyshohet për pastrim parash.
Rasti i vjedhjes së banesës të ish zyrtares, shkaktoi mjaft bujë në media, pasi paratë i kishte marrë pastruesja Rozeta Dobi në bashkëpunim me djalin e saj, Havier Dobi.
Klosi u paraqit vetë në polici për të denoncuar vjedhjen e 120 mijë eurove, të cilat sipas saj, ishin para që do të përdoreshin për kurimin e xhaxhait, jashtë vendit.
Policia më pas arriti të zbulojë 500 mijë euro dhe bizhuteri, në banesën e pastrueses Rozeta Dobi, pas një përgjimi ambiental mes saj dhe të birit, ku flisnin për fshehjen e parave në tubat e ajrimit.
Klosi ka mohuar që paratë të jenë të saj, duke pranuar vetëm shumën 120 mijë euro. Ndërkohë, askush nuk është paraqitur në polici për të pretenduar pronësinë mbi pjesën e mbetur të parave.