Shumica e demokratëve tani mendojnë se një mandat është i mjaftueshëm për Presidentin Joe Biden, pavarësisht këmbënguljes së tij se ai planifikon të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2024.
Një anketë e agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendrës për Studimin e Çështjeve Publike, NORC tregon se vetëm 37 për qind e demokratëve thonë se duan që Presidenti Biden të kandidojë për një mandat të dytë, nga 52 për qind që e donin këtë gjë në javët para zgjedhjeve të vitit të kaluar për Kongresin.
Ndërsa Presidenti Biden ka trumbetuar fitoret e tij legjislative dhe aftësinë për të qeverisur, anketa sugjeron se një numër relativisht i vogël amerikanësh i japin atij nota të larta për këto çështje. Intervistat pasuese me pjesëmarrësit e anketës sugjerojnë se shumë amerikanë besojnë se mosha e 80-vjeçarit është problematike, duke e përqëndruar vëmendjen tek shenjat e brishtësisë së tij fizike, si kolla e shpeshtë, mënyra e të ecurit dhe gafat e tij. Ata theksuan se puna më stresuese në botë do të ishte më e përshtatshme për një person të moshës më të re.
“Unë, sinqerisht, mendoj se ai do të ishte shumë i moshuar”, tha 37 vjeçarja Sarah Overman, një demokrate që punon në fushën e arsimit në shtetin e Karolinës së Veriut. “Do të ishte mirë të kishim një person më të ri në Shtëpinë e Bardhë.”
Ndërsa Presidenti përgatitet të mbajë fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit të martën, ai ka një shans të sfidojë dyshimet themelore lidhur me aftësinë e tij për të qeverisur. Në të kaluarën, Presidenti Biden është mbështetur shumë në përvojën e tij për të dëshmuar se ai është i përgatitur mirë për postin e Presidentit. Kur është pyetur nëse ai mund të përballojë përgjegjësitë e postit në moshën e tij, Presidenti Biden shpesh është përgjigjur duke thënë: “Më shihni”.
Kandidatët demokratë dolën më mirë se sa pritej në zgjedhjet e vitit të kaluar për Kongresin, një dëshmi e mesazhit të zotit Biden se ai po mbron demokracinë dhe po forcon klasën e mesme. Demokratët zgjeruan kontrollin e tyre të Senatit me një vend më shumë dhe humbën me rezultat të ngushtë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, pavarësisht se historia e zgjedhjeve të dekadave të fundit sugjeronte se ata do të pësonin një humbje të thellë përballë republikanëve.
Sipas anketës, 41 për qind e amerikanëve e mbështesin mënyrën se si zoti Biden po e bën punën e tij si president, një vlerësim pothuajse i ngjashëm me ato të anketave në fund të vitit të kaluar. Shumica e demokratëve ende e mbështesin punën që zoti Biden po bën si president, megjithatë ka rënë dëshira e tyre për ta parë atë në një fushatë tjetër zgjedhore. Vetëm 22 për qind e amerikanëve të moshës madhore thonë se ai duhet të kandidojë përsëri. Sipas anketave të kryera para zgjedhjeve të vitit të kaluar për Kongresin, 29 për qind e amerikanëve mbështesnin idenë e kandidimit të tij për një mandat të dytë.
Rënia mes demokratëve që thonë se zoti Biden duhet të kandidojë sërish për president është me e theksuar tek të rinjtë. Mes demokratëve të moshës 45 vjeç e lart, 49 për qind thonë se Presidenti Biden duhet të kandidojë për një mandat të dytë, krahasuar me 58 për qind që dhanë këtë vlerësim në tetor të vitit të kaluar. Por në mesin e atyre nën moshën 45 vjeç, 23 për qind tani thonë se ai duhet të kandidojë për një mandate të dytë, nga 45 për qind që dhanë këtë vlerësim para zgjedhjeve të vitit të kaluar për Kongresin.
Linda Lockwood, një demokrate nga Kansasi tha se nuk është e shqetësuar për moshën e Presidentit Biden.
“Ai duket se është në gjendje mjaft të mirë për mendimin tim dhe ky është një koment nga një grua 76-vjeçare”, tha zonja Lockwood. “Mund të jeni pak më të kujdesshëm duke zbritur nga shkallët me rritjen e moshës, por pjesa më e rëndësishme është funksionimi i trurit.”
Tashmë presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po gjendet përballë pyetjeve të shumta në lidhje me moshën e tij. Ai do të ishte 86 vjeç nëse do të shërbente plot tetë vjet si president. Zoti Biden shpesh punon me një orar shumë të gjatë, duke qëndruar me orë të tëra në këmbë, duke kujtuar emrat dhe historitë e njerëzve që nuk i njeh në udhëtimet e tij si President i vendit.
Megjithatë, ai ka qenë një figurë politike kombëtare për një gjysmë shekulli, pasi është zgjedhur për herë të parë në postin e Senatorit nga Delaueri në 1972, dhe momentet kur ai shfaqet i përhumbur në podium ose pengohet përmes fjalimeve mund të tërheqin më shumë vëmendje sesa politikat e tij.
Në CNN të dielën, Sekretari i Departamentit të Transportit Pete Buttigieg, i cili ishte kandidat presidencial në zgjedhjet paraprake të demokratëve në vitin 2020, e pranoi se “argumentet e brezave (për moshën) mund të jenë të fuqishëm”.
“Argumenti më i fuqishëm nga të gjithë janë rezultatet”, tha 41 vjeçari Buttigieg. “Dhe nuk mund të debatoni, të paktën, unë do të thosha që ju nuk mund të argumentoni në mënyrë serioze kundër gjërave të mira që kemi arritur, si krijimi i 12 milionë vendeve të punës gjatë mandatit të këtij presidenti”, shtoi ai.
Votuesit si 35 vjeçari Ross Truckey, e kanë ndjekur me kujdes presidentin. Avokati nga Miçigani nuk votoi për zotin Biden ose për republikanin Donald Trump në vitin 2020. Ai mendon se Joe Biden është pjesë e një grupi të fundi presidentësh që kanë qenë “nën nivelin” e duhur të punës.
“Mosha dhe ndoshta mprehtësia e tij mendore nuk janë aty ku do të doja të ishin për një udhëheqës të vendit”, tha zoti Truckey.
Presidenti Biden ka theksuar vazhdimisht në fjalimet e tij se është thelbësore që publiku të jetë i informuar me punën që ka bërë administrata e tij. Ai ka theksuar se administrata e tij ka shënuar katër fitore të mëdha legjislative: pakoja e ndihmave për trajtimin e pasojave të pandemisë së COVID-19, ligji i infrastrukturës që mori mbështetje dypartiake, ligji për investimet në teknologji dhe shkencë, si dhe ai për taksat, shpenzimet dhe ndryshimet klimatike.