E premte, 29 Nëntor, 2024

Tërmeti shkatërrimtar në Turqi, VOA: Njerëzit mobilizohen mes kritikave për reagimin e ngadaltë të qeverisë

Pas tërmeteve që shkaktuan mijëra të vdekur në Turqi, ka dëshpërim dhe zemërim në rritje mes të mbijetuarve për reagimin e qeverisë. Por shumë njerëz në të gjithë vendin po mobilizohen me kryebashkiakët opozitarë për të ndihmuar. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, kjo po ndodh edhe në vende, që nuk u goditën nga tërmeti.

Gjatë gjithë natës, njerëzit në qytetin kryesor të Turqisë sjellin furnizime për të mbijetuarit nga tërmeti.

Dy salla dasmash janë tani qendra shpërndarjeje për ndihmat e dhuruara nga i gjithë qyteti.

“Ne hapëm sallat e dasmave qysh mëngjesin e parë. Ka një ndihmë të pabesueshme që vjen nga kudo. Ndihma është kryesisht ushqim, batanije dhe jorgan, si dhe artikuj higjenikë, pelena dhe një sasi e jashtëzakonshme mallrash, të gjitha në cilësinë e parë”, thotë Elif Polat, menaxhere e sallës së dasmave.

Qindra vullnetarë punojnë gjatë natës; për disa motivimi është personal.

“Prindërit e mi jetojnë në Adana dhe miqtë e mi në Antakia, ku ranë tërmetet. Nuk mund të shkoj në ato vende. Unë dua t’i ndihmoj njerëzit, dhe vendi më i afërt dhurues me shtëpinë time është këtu, në Kadikoy. Unë do të vij këtu dhe miqtë e mi do të vijnë këtu”, thotë vullnetari Ali Can Kocak.

Përpjekja e ndihmës po koordinohet nga kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu nga partia opozitare CHP.

Ai ka siguruar kamionë dhe përdorimin e ndërtesave të qytetit për përpjekjet e ndihmës.

Zoti Imamoglu vizitoi rajonin e fatkeqësisë, ku dërgoi ekipet e kërkimit dhe shpëtimit nga Stambolli.

Kryebashkiaku i Ankarasë – gjithashtu një anëtar i opozitës – dërgoi punëtorë për të rindërtuar një nga aeroportet në rajonin e goditur nga tërmeti.

Përpjekje të tilla vijnë pasi qeveria përballet me kritika në rritje nga të mbijetuarit, se përgjigja e saj është shumë e ngadaltë, një akuzë që zyrtarët e mohojnë.

Kishte kritika të ngjashme në vitin 1999 për tërmetin e Izmirit në afërsi të Stambollit, i cili mori më shumë se 18,000 jetë.

Kujtimet e asaj fatkeqësie janë ende të freskëta në mendjet e disa të mbijetuarve, të motivuar për të ndihmuar në këtë krizë të fundit.

“Kam përjetuar tërmetin e Izmirit në vitit 1999. Ne e jetuam atë fatkeqësi. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne. Tani e pashë këtë tërmet dhe i rijetova ato momente. Kjo është arsyeja pse nuk mund të rri në shtëpi apo të pi çaj. Doja të vija këtu dhe të ofroja ndihmë” thotë Yilmazi.

Pelenat, parfumet anti-djersë dhe produkte të tjera sanitare janë artikuj me përparësi, ndërsa Stambolli bashkohet për të ndihmuar.

“Nga më i moshuari tek më i riu, këtu ka një unitet të pabesueshëm. Pyesim veten se si mund t’i arrijmë të gjithë ata njerëz në zonat e goditura nga tërmeti. Shoh pikëllim të pamasë në sytë e të gjithëve, por ata po marrin forcë dhe këmbëngulje nga ky trishtim”, thotë Elif Polat.

Një kamion i mbushur plot, niset drejt rajonit të fatkeqësisë duke çuar ndihmë dhe shpresë për miliona njerëz në nevojë./VOA

Artikuj te ngjashem

Me te fundit